Llapi nuk del në vendin e parë, ndalet nga Prishtina

Llapi ka luajtur baras me rezultat 0-0 ndaj Prishtinës në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në kuadër të javës së 22-të në elitën e futbollit kosovar.

Pjesa e parë u karakterizua me një dominim të lehtë të Prishtinës sa i përket rasteve për gol, mirëpo rezultati mbeti i paprekur.

Kryeqytetasit patën dy mundësi fillimisht në minutën e 30-të dhe pastaj në minutën e 35-të me Genc Hamitin i cili gjuajti mbi portën e Ilir Avdylit.

Në pjesën e dytë tempo e lojës ishte më e lartë me të dy ekipet që kërkonin golin e fitores.

Vlen të theksohet një rast i mirë i Prishtinës me anë të Mërgim Pefqelit në minutën e 61-të goditjen e të cilit e ndali pa probleme Avdyli.

Llapi pati një mundësi shumë të mirë shënimi në minutën e 88-të me anë të Ergyn Ahmetit, por gjuajtja e tij nga jashtë zonës shkoi fare pranë shtyllës së Agron Kolajt.

Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe kështu Llapi humbi mundësinë për tu bërë lider i Albi Mall Superligës së Kosovës.

Llapjanët tani vazhdojnë në pozitën e dytë me 44 pikë të grumbulluara, një më pak se lideri Ballkani që ka 45 sosh. Prishtina në anën tjetër tashmë ka tri ndeshje rresht pa fitore dhe renditet në pozitën e pestë me 31 pikë të tubuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *