Mesfushori i talentuar i Rijekas Veldin Hoxha ka konfirmuar se është në bisedime me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), megjithatë ende nuk ka vendosur përfundimisht mbi të ardhmen.
Muajin e kaluar, menaxheri i FFK-së Bajram Shala për Nacionalen i konfirmoi raportimet se kanë interesim për 21-vjeçarin, pasi Kosova po tenton ta përforcojë mesfushën, që vazhdon të jetë problemi kyç i skuadrës.
Përpos Elvis Rexhbecajt të Augsburgut, ndër dëshirat e FFK-së është edhe Hoxha, i cili luan në pozitën e mesfushorit me tipare defansive.
Ylli i Rijekas për Gazetën Nacionale ka konfirmuar bisedimet me FFK-në, megjithatë shtoi se ende nuk ka vendosur për të ardhmen.
“Mund të të them se ka pasur kontakt (me FFK-në) dhe nuk duhet të flasë më shumë”.
“Momentalisht jam pjesëtar i kombëtares së Kroacisë U21 dhe nuk jam duke menduar shumë për të ardhmen. Shkoj ditë pas dite, pastaj kur koha të vjen do të zgjedh atë që është më e mira për mua”.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë kontakt me përzgjedhësin e ri Franco Foda, Hoxha shtoi “Nuk kam pasur ndonjë kontakt me trajnerin e ri”.
Përndryshe, Kosova do t’i zhvillojë dy miqësore në muajin mars – ku pritet të ketë disa emra të rinj.
Kujtojmë, “Dardanët” më 22 mars janë mysafir i Armenisë, kurse katër ditë më vonë përballen me Hungarinë.