FFK-ja lanson strategjinë për periudhën katërvjeçare nën moton “Themelet e së ardhmes”

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka lansuar strategjinë e saj për periudhën 2024 – 2028 nën moton “Themelet e së ardhmes”.

Në ceremoninë e mbajtur në hotel “Emerald”, krahas mysafirëve të shumtë nga komuniteti i futbollit i pranishëm ishte edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrulla Çeku si dhe përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari dhe përfaqësuesit e FIFA-s, Gianni Manca dhe Lorenzo Cavallari FIFA.

“Kjo strategji është rruga e federatës drejt zhvillimit të futbollit kosovar në vitet e ardhshme. Ajo përmban vizionin tonë për të ardhmen dhe garanton zhvillim e progres. Ne jemi të përkushtuar që t’i përmbushim të gjitha pikat e kësaj strategjie, në mënyrë që komunitetit të futbollit t’i krijojmë mundësi për avancim të mëtutjeshëm”, ka thënë presidenti Ademi.

“Synimi ynë është që në çdo cep të vendit ta kemi nga një fushë stërvitore. E kjo nuk mund të bëhet edhe pa mbështetjen e MKRS-së, e cila tashmë ka filluar zbatimin e strategjisë së saj për përmirësimin e infrastrukturës, me punimet në stadiumin ‘Adem Jashari’, derisa shumë shpejt do të nisin edhe punimet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ për ta bërë fushën me bari hibrid”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ministri Hajrulla Çeku përgëzoi FFK-në për krijimin e strategjisë për periudhën katërvjeçare si dhe tha që brenda pesë viteve Kosova do ta përmbyll temën e infrastrukturës sportive.

“E përgëzoj FFK-në dhe presidentin Ademi, i cili krahas punëve të tjera është i përkushtuar edhe në planifikimin strategjik afatgjatë. Në bashkëpunim me FFK-në dhe komunat po bëjmë konsolidimin e stadiumeve”.

“Presidenti Ademi përmendi investimet në stadiumet ‘Adem Jashari’ dhe ‘Fadil Vokrri’, por ne me po aq zell po i trajtojmë edhe stadiumet e tjera. Brenda 5 viteve besoj se Kosova do ta përmbyll temën e infrastrukturës sportive”, ka thënë Çeku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *