Wesley Sneijder pretendon se ai do të mundë të ishte bërë po aq i mirë sa Lionel Messi dhe Cristano Ronaldo, mirëpo dobësia e tij për konsumimin e verës ia ka pamundësuar një gjë të tillë.
Ish-mesfushori i ekipit kombëtar të Holandës e kishte shijuar një karrierë mbresëlënëse me Ajaxin, Real Madridin e Interin.
Në vitin 2010, ai i la prapa edhe Messin e Ronaldon, kur arriti ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve me Interin, para se të shkonte deri në finale të Kupës së Botës me ekipin kombëtar të Holandës.
Përkundër këtyre sukseseve, ai s’arriti ta marrë Topin e Artë atë vit, pasi që me këtë çmim u shpërblye Lionel Messi – gjë që shumë tifozë e cilësojnë si të padrejtë për holandezin.
Ai nuk vlerësohet të ketë qenë ndonjëherë në nivelin e Messit dhe Ronaldos, të cilët i kanë fituar bashkë 11 Topa të Artë, por Sneijder insiston se ai do të kishte mundur ta arrinte nivelin e tyre.
“Unë mund të isha bërë si Messi dhe Ronaldo, por thjesht s’doja. Unë e shijoja jetën time, ndoshta e pija një gotë verë në darkë”, ka thënë 35-vjeçari.
“Leo dhe Cristiano janë më ndryshe, ata kanë bërë shumë sakrifica dhe kjo është në rregull për mua. Megjithatë, karriera ime ka qenë e mrekullueshme”.