Premierliga ka bërë të ditur se asnjë rezultat pozitiv për Covid-19 nuk ka dalë nga gjithsej 1195 testet e fundit për koronavirus, të cilat u bënë në të gjithë ligën.
Në 1195 testet e bëra gjatë rundit të fundit të testimit për Covid-19, liga elitare e futbollit ka marrë lajmin e mirë se asnjë lojtar dhe asnjë anëtar i stafit të klubeve nuk ka rezultuar pozitiv, transmeton GE.
“Premierliga mund ta konfirmojë sot se të enjten, më 4 qershor, dhe të premten, më 5 qershor, 1195 lojtarë dhe anëtarë të stafit të klubeve u testuan për Covid-19. Nga ato, zero teste kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftimin e ligës.
“Premierliga po i bën të ditura këto lajme me qëllim për të pasur transparencë dhe për integritet të garës. Megjithatë, asnjë detaj specifik i testeve të bëra nuk do të publikohet nga liga dhe rezultatet e testeve do të bëhen publike vetëm pasi të kenë ardhur të gjitha rezultatet e një rundi të testimeve”.
Rezultatet e këtyre testeve janë vlerësuar si inkurajuese për futbollin anglez, pasi që Premierliga tashmë e ka vendosur 17 qershorin si datën e rinisjen së kampionatit për sezonin 2019/20.
Më herët, ndihmëstrajneri i Burnleyt, Ian Woan, mbrojtësi i Ëatfordit, Adrian Mariappa, dhe portieri i Bournemouthit, Aaron Ramsdale, ishte konfirmuar se janë në mesin e 13 personave që kanë testuar pozitivisht nga Premierliga.
Premierliga ka qenë e suspenduar që nga marsi shkaku i përhapjes së virusit Covid-19 në botë, ndërsa tashmë klubet janë duke u përgatitur për rinisjen e sezonit./Gazeta-Topi/