Presidenti Ademi takon presidentët Çeferin dhe Infantino në Kongresin e UEFA-s në Paris, ja çfarë bisedojnë

Presidenti Agim Ademi, i cili po merr pjesë në Kongresin e 48 të UEFA-s në Paris si dhe në 70 vjetorin e themelimit të saj, ka zhvilluar takime me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

“Në takimin me presidentin e UEFA-s, Çeferin, presidenti Ademi e ka informuar atë rreth zhvillimeve në FFK dhe për projektet që janë në zhvillim e sipër dhe ato që pritet të realizohen. Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte projekti për stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të bëhet ndërrimi i fushës në hibrid, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrëveshja mes dy institucioneve do të nënshkruhet së shpejti dhe më pas të fillojnë punimet në këtë projekt, në mënyrë që stadiumi të jetë i gatshëm për ndeshjet zyrtare të Kombëtares së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Sipas këtij njoftimi, në takimin me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, presidenti Ademi ka prezantuar projektet e FFK-së që janë nën mbikëqyrjen e FIFA-s, e ku brenda pak ditëve një delegacion i FIFA-s pritet të vizitojë Kosovën për të parë nga afër zhvillimin e projekteve dhe të futbollit në vendin tonë.

“Gjatë Kongresit të UEFA-s, presidenti Ademi ka zhvilluar një takim miqësor edhe me presidentin e Federatës Turke të Futbollit, Mehmet Büyükekşi dhe delegacionin e kësaj federate. Në këtë takim, i pari i FFK-së ka shprehur dëshirën për një bashkëpunim edhe më të ngushtë ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Federatës Turke të Futbollit në të gjitha drejtimet”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e shtëpisë së futbollit kosovar.

Në punimet e Kongresit të UEFA-s u miratuan ndryshimet në statutin e UEFA-s, raporti financiar, si dhe u caktuan anëtarët e Shoqatës së Klubeve Evropiane dhe Shoqatës së Ligave Evropiane, të cilët do të shërbejnë në Bordin e Drejtorëve të UEFA-s.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *