Edhe një skuadër i shtohet listës për transferimin e Lumbardh Dellovës

Mbrojtësi i Ballkanit, Lumbardh Dellova ka përfunduar në listën e dëshirave të klubit nga Superliga e Rumanisë, Universitatea Craiova, i cili e do në afatin kalimtar të janarit.

Universitatea Craiova tashmë ka nënshkruar transferimin e parë të këtij afati kalimtar dimëror, mbrojtësin e djathtë finlandez, Pyry Soiri.

Por, sipas portalit të njohur sportiv rumun www.gsp.ro, Universitatea Craiova tani po përgatitet për të përfunduar një tjetër transferim në repartin e mbrojtjes.

Trajneri Ivaylo Petev i ka kërkuar edhe presidentit të klubit, Mihai Rotaru, një qendërmbrojtës dhe sipas burimeve të mediumit rumun, ai është fokusuar te mbrojtësi i Ballkanit, Lumbardh Dellova.

Reprezentuesi 25-vjeçar i Kosovës thuhet se ka avantazhin që mund të mbulojë disa pozicione: qendërmbrojtës, mbrojtës i djathtë dhe mesfushor defensiv, duke qenë ideal për klubin “bardh e blu”.

Në këto pozita, trajner Petev ka edhe Zajkovin, Badeljn, Raul Silvën dhe Screciun, por në pjesën e parë të sezonit 2023/24 u përball me mungesë të shumta dhe iu desh të improvizonte.

Dellova ka hyrë në 6 muajt e fundit të kontratës me Ballkanin

Sipas mediumit rumun, një tjetër pikë e rëndësishme, marrëveshja e Dellovës me Ballkanin skadon në verë, kështu që ai ka hyrë në 6 muajt e fundit të kontratës dhe mund të transferohet për një shumë të vogël parash.

Dellova e filloi karrierën e tij në KF Liria, më pas kaloi në ND Slovan Ljubljana, Hajduk Split, FC Prishtina dhe nga korriku 2022 vesh fanellën e Ballkanit.

Për Dellovën interesim kanë shprehur edhe Ludogoretsi në Bullgari dhe New York City FC në MLS, ndërsa vlen të theksohet së në vitin 2023, mbrojtësi i Ballkanit u zgjodh lojtari më i mirë i vitit në Superligën e Kosovës, si dhe ishte pjesë e formacionit më të mirë të vitit

Vlera e mbrojtësit nga Rahoveci është 600 mijë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *