Është ndarë nga jeta krejt papritur Enver Sylejmani nga Tetova, patrioti dhe njeriu që ia kushtoi jetën futbollit, përcjell Open-Tv.
Ai së fundmi ishte drejtor i përgjithshëm i FC Voska Sport nga Ohri. Sylejmani ndërroi jetë sot në mëngjes (e shtunë, 30 dhjetor 2023). varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 15:00 njoftojnë nga familja e tij.
Në vitet e 90-ta ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës, duke dhënë një kontribut të madh, pastaj edhe te Renova, duke fituar kampionatin dhe kupën në vitin 2013 u emërua zëvendëssekretar gjeneral në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, ku punoi deri sa u pensionua.
Sylejmani ishte i lidhur ngushtë me Federatën e Futbolit të Kosovës dhe të Shqipërisë, ishte mik i madh me Agim Ademin, kryetarin e FFK-së si dhe me gjeneratën e artë të KF Prishtina të viteve të 80-ta, ishte edhe mik i madh me Armando Dukën, presidentin e FSHF-së.
Ndërkohë, presidenti i FFK-së ka dërguar telegram ngushëllimi për familjen Sylejmani dhe kreun e FFM-së, Muamed Sejdini.
Telegrami i plotë:
E nderuar Familje Sylejmani!I nderuar president i FFM-së, Muamed Sejdini,Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Enver Sylejmani, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Enveri ka lënë një trashigimi të pasur të angazhimit dhe përkushtimit në futbollin shqiptar, teksa me punën e tij të palodhur ka ndikuar në rritjen e klubeve shqiptare dhe futbollit në tërësi në Maqedoninë e Veriut.
Enveri, si ish zv/Sekretar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe patriot i njohur, ka ndihmuar në bashkimin e njerëzve përmes dashurisë së tij për futbollin.Për ne, ai mbetet një figurë e rëndësishme në zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke shërbyer me pasion në kohën e pranimit në UEFA e FIFA.
Përjetuam bashkë me Enverin çdo moment të rëndësishëm të FFK-së dhe kemi ndarë gëzimet dhe sfidat në rrugën drejt arritjeve të reja.Enveri ishte një figurë e shquar dhe do të kujtohet gjithmonë për devotshmërinë e tij ndaj sportit dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm me të gjitha trojet shqiptare.
Dëshirojmë të përcjellim ngushëllimet tona te familja Sylejmani nga i gjithë komuniteti i futbollit në Kosovë. Ne ndajmë dhimbjen me Ju dhe shprehim solidaritetin tonë në këtë moment të vështirë.
Qoftë i përhershëm kujtimi për Enverin!
Me respekt, Agim Ademi, president i FFK-së