Pas një pushimi prej 72 orësh, Milan ka rinisur përgatitjet për sfidën e fundit të vitit 2023, me “kuqezinjtë” të cilët mbrëmjen e 30 Dhjetorit do të presin në “San Siro” Sassuolo-n, në sfidën e vlefshme për javën e 18-të.
Pas barazimit me Salernitana-n, situata nuk është aspak e qetë dhe si të mos mjaftonte kjo, Pioli ka shumë mungesa në prapavijë, teksa në seancën e parë stërvitore ka pasur rikthime që mund të ngrohin trajnerin, sepse me grupin janë bashkuar Simon Kjaer, Yunus Musah dhe Marco Pellegrino.
Përballë Sassuolos, Stefano Pioli po mendon që të zbresë në qendër të mbrojtjes me dyshen Simic-Theo Hernandez, ndërsa ka pasur lajme pozitive edhe për Musah që mund të shihet si një alternativë për këtë ndeshje edhe pse për mesfushorin do të pritet edhe konfirmimi i stafit mjekësor.
Në takimin e fundit të këtij viti, Milan jo vetëm kërkon tri pikët, por Stefano Pioli luan edhe të ardhmen e tij sepse italiani është shumë pranë shkarkimit, por nëse qëndron, 58-vjeçari i ka kërkuar klubit përforcime në merkaton e janarit.
Aktualisht, Milan po punon për rikthimin e Gabbia-s nga huazimi, me italianin që aktualisht aktivizohet në Spanjë me Villarreal, por në skenë janë edhe emra si, Kiëior (Arsenal), Mukiele (PSG), Kehrer (West Ham), Kelly (Bournemouth) dhe Lenglet (Aston Villa).