Dellova pritet të bëhet transferimi më i shtrenjtë në histori të futbollit kosovar, këto janë dy ofertat që ka Ballkani në tavolinë për qendërmbrojtësin

Lumbardh Dellova pritet ta bëj hapin e madh në karrierë në afatin kalimtar të janarit, për tu larguar nga futbolli kosovar.

Qendërmbrojtësi kosovar ka dy vite që luan në mënyrë të mrekullueshme me fanellën e Ballkanit, derisa falë paraqitjeve të shkëlqyera është bërë një titullar edhe te Përfaqësuesja e Kosovës.

Ndeshjet e shkëlqyera në kampionat, Evropë, por edhe me Dardanët kanë bërë që shumë skuadra të vihen pas qendërmbrojtësit kosovar.

Megjithatë në adresë të Ballkanit tanimë kanë ardhur dy oferta shumë të rëndësishme, që do ta bëjnë prizrenasin futbollistin më të shtrenjtë në histori të futbollit kosovar.

Telegrafi mëson ekskluzivisht se gjiganti bullgar Ludogorets dhe New York City kanë bërë tanimë ofertat zyrtare në drejtim të Ballkanit për qendërmbrojtësin.

Kampioni në fuqi i Bullgarisë ka ofruar 800 mijë euro, ofertë që ka kënaqur presidentin e Ballkanit, Arsim Kabashin.

Por oferta edhe më e lartë ka ardhur nga skuadra amerikane New York City, që ka ofruar hiq më pak se 1 milionë euro për t’i fituar shërbimet e reprezentuesit kosovar.

Ballkani është i kënaqur nga të dyja ofertat, gjithsesi ajo e New York Cityt është më e mirë në aspektin financiar pasi ka të përfshira edhe bonuse të ndryshme ku suharekasit do të fitonin më shumë.

Tani gjithçka ka mbetur në dorë të qendërmbrojtësit i cili është duke menduar se ku do ta vazhdoj karrierën, në qytetin e ëndrrave New York në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo në Razgard të Bullgarisë ku Ludogoretsi po e kërkon me ngulm.

24-vjeçari nga Krusha e Madhe ka zhvilluar 26 ndeshje këtë edicion me fanellën e kampionit në fuqi të Kosovës, ku ka realizuar edhe dy gola e ka asistuar në një tjetër.

Dellova e ka nisur karrierën te Liria e Prizrenit, para se të shkonte për gjashtë muaj në Slloveni te skuadra ND Slovan Ljubljana, por u rikthye te skuadra prizrenase.

Në vitin 2018 qendërmbrojtësi bëri hapin e madh në karrierë duke iu bashkuar Hajdukut të Splitit, derisa dy vite më vonë u rikthye në Kosovë për ta veshur fanellën e Prishtinës për një edicion.

E në janar të vitit 2022, qendërmbrojtësi rahovecian u largua përfundimisht nga Hajduku për t’iu bashkuar Ballkanit ku tanimë ka fituar dy tituj kampioni me skuadrën suharekase.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *