FFK: Shtatorja e Erion Kajtazit do të jetë simbol i ri i Mitrovicës

Në një ceremoni të ndjeshme dhe plot emocion, sot në Mitrovicë, u përuruar shtatorja e futbollistit të ri të këtij qyteti, Erion Kajtazi, një vit pasi u nda nga jeta në fushën e gjelbër, në ndeshjen e Superligës së juniorëve, A&N – Trepça’89, pas një sulmi në zemër.
Erion Kajtazi ishte një talent i jashtëzakonshëm, i cili la pas një trashëgimi të pashlyeshme në zemrat e familjarëve, bashkëlojtarëve, miqëve dhe tifozëve të futbollit.

Shtatorja e Erionit tashmë do t’ia shtojë hijeshin qytetit dhe do të jetë një simbol ku brezat e rinj do të frymëzohen për lojën e futbollit.

Stadiumi, që tani mban emrin e tij me krenari, do të bëhet një shenjë e pavdekshme e talentit dhe dedikimit të një futbollisti që u nda shumë herët nga jeta.

“Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni për shkak të vizitës në UEFA, presidenti Agim Ademi vlerëson lart të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj shtatorje, në veçanti klubin Trepça 89 dhe Komunën e Mitrovicës. Kjo shtatore është jo vetëm shenjë nderimi e respekti për një lojtar i cili ndërroi jetë në fushën e pasionit të tij, por edhe një shprehje e dashurisë për futbollin si sporti më i popullarizuar në vendin tonë, si dhe frymëzim për gjeneratat e ardhshme të futbollistëve. Erion Kajtazi do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë dhe shtatorja e tij prej bronzi do të jetë një ndriçim i përjetshëm i futbollit kosovar”, shkruhet në njoftimin e FFK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *