Shqipëria luan një nga tre finalet për kualifikimin në Euro 2024. Fluturimi kuqezi drejt Gjermanisë nis nga “Air Albania”, aty ku mysafire do të jetë Republika Çeke.
Është padyshim sfida më e rëndësishme e kombëtares shqiptare që nga Francë 2016, si kurrë më parë, pak nga fundi i një faze kualifikuese jemi kryesues të grupit, dhe një fitore na mban udhëheqës deri në nëntor, por mbi të gjitha një trepikësh ndaj Çekisë do të thotë praktikisht kualifikim në Europian.
Është padyshim kundërshtari më i fortë i grupit, ndeshja e Pragës ishte më e vështira për kuqezinjtë, me Çekët që pavarësisht mungesës së emrave të mëdhenj, kanë një skuadër kompakte, shumë fizike dhe të organizuar, por nëse ka një moment për të bërë historinë për Shqipërinë është pikërisht ky.
Kujtimet e ëmbla të atij triumfi madhështor ndaj Polonisë janë ende të freskëta, një Shqipëri të tillë me 4 ndeshje pa humbje, 3 fitore dhe një barazim në një fazë kualifikuese, që luan emocionon, dhe shënon nuk e kemi parë kurrë.
Sylvinho kërkon ti japë vazhdimësi momentit në sprintin final të një misioni historik, edhe pse shqetësimet nuk mungojnë. Zëvendësuesi i Ismajlit, gjendja e Brojës dhe e Gjasulës mbeten për tu vlerësuar deri në momentin e fundit, por Shqipëria ka krijuar tanimë një identitet të qartë, një fytyrë që kërkon ta ruajë edhe përballë Çekisë, ku për të thënë të vërtetën edhe një barazim mund të konsiderohet një rezultat që vlen për llogaritë e kualifikimit.
Gjithsesi e sigurt është që kjo skuadër, me kaq cilësi, kualitet dhe bindje do të hyjë në fushë për të fituar. “Air Albania” do të jetë një spektakël më vete, ata që do të jenë aty janë më fatlumët e një numri të jashtëzakonshëm tifozësh që janë rrekur për të siguruar një biletë, një fat i madh që për ta shpërblyer sadopak, ju duhet ta shpërblejnë duke mbështetur si kurrë më parë kombëtaren pa rreshtur asnjë sekondë, të gjithë me një thirje: Shqipëri, fito për ne!