Meriton Korenica, lojtar i skuadrës Manisaspor, që luan në kategorinë e dytë të futbollit turk, të dielën ishte pjesë e emisionit sportiv “Koha Shtesë”. Korenica i cili kaloi te Manisa në afatin kalimtar veror, foli dhe tregoi se si është ambientuar në Turqi, raportet me lojtarët te klubi, si dhe për qëllimet e tij me kombëtaren e Kosovës.
Si jeni ambientuar në Turqi, çfarë përshtypje ju kanë lënë bashkëlojtarët?
“Çdo gjë ka shkuar mirë, më kanë pritur shumë mirë dhe më pëlqen ambienti dhe shpresoj që çdo gjë do të shkojë sipas planit. Është problem ambientimi i mirë, por kam dy kosovarë këtu, Domgjonin dhe Topallin, të cilët më kanë ndihmuar dhe më kanë mësuar gjëra mbi sistemin e ligës, por duhet të fokusohemi 100 për qind për qëllimet tona.
Si e shihni fillimin tuaj te skuadra e re?
Jam bërë pjesë e skuadrës pas ndeshjes së Kosovës me Rumaninë, çdo gjë ka shkuar mire. Kam zhvilluar tri ndeshje, një nga stoli dhe dy si titullar, dhe dua të tregoj vlerat e mia edhe me tutje dhe pse jo ndoshta edhe në një kampionat tjetër në të ardhmen.
Cilat janë dallimet e futbollit në Turqi në krahasim me atë në Kosovë?
Ka shumë cilësi në Kosovë dhe nuk do të ishte problem për shumë lojtarë të transferohen në Europë, por organizimi është i duhur dhe lojtarët mendojnë vetëm për futbollin, ndërsa klubi ku luaj ka një nga komplekset më të mira në Turqi dhe kjo ndihmon shumë, nuk mund të them që ka shumë dallime sepse edhe në Kosovë standardi është rritur.
A prisni ftesë nga Kosova dhe cilat janë qëllimet e përfaqësueses?
Normalisht që pres ftesën dhe atë me shumë dëshirë. Kam qenë pjesë e dy grumbullimeve të fundit dhe gjithmonë jam i gatshëm për kombëtaren e Kosovës, është ëndërr të vesh këtë fanellë. Në ndeshjen time të parë u ndjeva si njeriu më i lumtur në botë të shërbeja në atë ndeshje në momentet e fundit. Edhe nëse nuk ftohem tani, unë do të jem i gatshëm edhe në të ardhmen.
Kush nga skuadra e Ballkanit të mungon më shumë?
Më mungon Armend Thaqi, kemi kaluar 5 vite bashkë dhe kam mësuar shumë nga ai, ne kemi qenë shumë mirë në fushë dhe jashtë fushës”, deklaroi në fund Korenica.