Sulmuesi i Napolit, Victor Osimhen po konsideron të bëjë padi ndaj klubit të tij, pasi që kampioni italian postoi një video të çuditshme në “TikTok” duke u tallur me yllin nigerian.
Kjo video vjen pasi që Osimhen e ndihmoi Napolin ta fitonte titullin e Serie A sezonin e kaluar, titull ky i pari për klubin italian pas tre dekadave.
Pavarësisht se Osimhen shënoi plot 31 gola me Napolin në të gjitha garat, ai u bë cak i një videoje të çuditshme, tashmë të fshirë, që u shpërnda në faqen zyrtare të “TikTok-ut” të kampionit italian.
Agjenti i Osimhen, Roberto Calenda lëshoi një komunikatë mbrëmë për incidentin në fjalë.
Ai shkroi në “Twitter”: “Ajo çfarë ndodhi sot në profilin zyrtarë të Napolit në platformën ‘TikTok’ është e papranueshme. Një video duke u tallur me Victor u bë publike, dhe më pas u fshi menjëherë. Një fakt serioz që bën dëm serioz në lojtarin, dhe i shtohet asaj që lojtari po e pëson së fundmi mes mediave dhe lajmeve të rreme”.
“Ne e kemi të drejtën që të marrim masa ligjore dhe çdo iniciativë që ndihmon për ta mbrojtur Victor”, shtoi më tej Calenda.
Në video shihet Osimhen kur e humbet penalltinë ndaj Bolognas të dielën, me një zë të çuditshëm në të.