Interi ka treguar formë shumë më të lartë se AC Milan në Derbin Della Madonnina duke e mposhtur me rezultat të thellë, 5-1. Mkhitaryan (6’, 69’), Thuram (38’), Calhanoglu (79’) dhe Fratessi (90+3’) shënuan golat për Interin, kurse golin e vetëm për Milan e shënoi Leao (57’)
Interi e ka deklasuar Milanin në Derbin della Madonnina duke e mposhtur me rezultat të thellë, 5-1. Skuadra nënkampione e Europës e ka dominuar skuadrën kuqezi duke i mbajtur në shtëpi tri pikët e tyre.
Zikaltërit e nisën furishëm këtë takim, ku qysh në minutën e gjashtë për ta do të shënonte Henrikh Mkhitaryan.
Armeni shënoi një gol të bukur për t’i dhënë epërsinë e parë vendasve.
Milan tentoi të kthehet në lojë në minutën e 32-të kur Theo Hernandez bëri një kalim të mirë por që ai nuk ia doli të finalizojë dhe të shënojë golin e barazimit për Milanin.
Pas kësaj, Interi do ta shënonte golin e dytë në mundësinë e tyre të dytë. Ishte Marcus Thuram që shënoi një gol të bukur në minutën e 38-të.
Pjesa e parë përfundoi në të mirë të Interit.
Në pjesën e dytë u shënuan edhe katër gola.
AC Milan u mendua se do të kthehet në lojë kur shënoi një gol të bukur ekipor. The Hernandez bëri një pasim mjeshtëror te Raphael Leao që shënoi për rezultat 2-1 në minutën e 57-të.
Por, kaq ishte për Milanin.
Inter u tregua më i mirë në minutat e mbetur dhe arriti që të shënojë edhe tre gola.
Lautaro Martinez pasoi tek Mkhitaryan në minutën e 69-të e ku armeni shënoi golin e tretë për Interin, për t’i dhënë qetësi skuadrës së tyre.
Nuk mjaftoi me kaq.
Lautaro arriti që të nxjerr edhe një penallti që në gol më vonë e shndërroi ish mesfushori i AC Milan, turku Hakan Calhanoglu.
Krejt në fund Interi shënoi edhe një gol, për ta deklasuar kështu Milanin.
Davide Fratessi mori një top të mirë nga Mkhitaryan për të shënuar gol në minutën e tretë shtesë të ndeshjes.
Interi pas kësaj fitore të mërkurën pritet të luajë kundër Real Sociedadit në Ligën e Kampionëve derisa në Serie A është mysafirë i Empolit. Fitorja e sotme ata i ngjet në vendin e parë me 12 pikë, me katër fitore nga katër ndeshjet e para.
AC Milan në anën tjetër pritet të luajë të martën kundër Newcastle United në Ligën e Kampionëve derisa në Serie A në vikendin e ardhshëm luan kundër Veronës në shtëpi. Për momentin skuadra e Piolit është në vendin e tretë me 9 pikë. Kjo është humbja e parë e tyre në Serie A në sezonin e ri.