Ernest Muçi është duke kaluar nëpër një formë fantastike në këtë fillim sezoni te skuadra polake Legia Warsawa.
Sulmuesi i talentuar shqiptar ka dy vite e gjysmë që është pjesë e gjigantit polak, derisa paraqitjet e tij sa vijnë e bëhen më të mira.
22-vjeçari në 12 ndeshjet e para këtë edicion ka shënuar katër gola duke treguar klasin e tij dhe duke u shëndrruar në një lider te Legia.
Kapiteni i kësaj skuadre, portugezi Joseu e ka ngritur në qiell yllin shqiptar, duke thënë se ai në të ardhmen do të bëhet shitja më e shtrenjtë në histori të klubit polak.
“Muçi është një lojtar i vlefshëm në ekipin tonë, por ai mund të bëjë edhe më shumë. Ai mund të jetë lojtari udhëheqës i Legias në shumë ndeshje. Ka shumë avantazhe: këmba e majtë, këmba e djathtë, shpejtësia… Ai ka gjithçka për hapin e radhës”.
“Aftësitë e tij janë të çmendura dhe është një kënaqësi të luaj me të dhe të shoh se çfarë bën në fushë. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme për të që të arrijë vazhdueshmërinë dhe pjekurinë e duhur.”
“Ky është një aspekt që ka nevojë për përmirësim. Nëse kjo ndodh, jua siguroj që do të jetë një nga lojtarët që do të shitet më shtrenjtë në historinë e Legias. Ai që tani mund të jetë një “top” lojtar në fushë”.
“Mund të përfundojë në një klub të madh në të ardhmen. I uroj që të transferohet për dhjetëra milionë euro një ditë. Ai ka potencial të madh dhe mund të arrijë larg. Kjo kërkon pjekuri dhe rritje të rolit të tij në skuadër. Ai do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për ekipin”, deklaroi kapiteni i Legias, portugezi Josue.
Transferimi më i shtrenjtë në histori të Legias është portieri Radoslaw Majecki i cili iu bashkua Monacos për shumën e shtatë milionë eurove.