Të gjitha biletat për ndeshjen kualifikuese për Euro 2024 ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, e cila zhvillohet më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, janë shitur brenda pak orëve.
Ky interesim i madh nga tifozët është një shenjë e fortë e përkrahjes së fuqishme ndaj Kombëtares së Kosovës.
“FFK falënderon të gjithë opinionin për këtë mbështetje që i jep ekipit kombëtar dhe i inkurajon ata që nuk kanë arritur të sigurojnë bileta për këtë ndeshje që të vazhdojnë ta mbështesin Kombëtaren me zemër.
Njëherësh FFK shpreh keqardhje për të gjithë ata që kësaj radhe nuk kanë arritur të sigurojnë bileta dhe kërkon mirëkuptimin e tyre, duke shpresuar që do të kënaqen me lojën dhe rezultatin e favorshëm të Dardanëve në ndeshjet e shtatorit.
Në këtë atmosferë të ngrohtë, FFK fton tifogrupin Dardanët që të jenë bartës të një atmosfere të paharrueshme dhe të ndihmojnë në krijimin e një atmosfere pozitive dhe korrekte në stadium më 9 shtator.
Le të bashkohemi për të mbështetur Kombëtaren dhe ta bëjmë këtë ndeshje një moment të paharrueshëm për të gjithë.”, thuhet në njoftimin e FFK-së.