“Është java e fundit e sezonit”.
Kështu e kanë prezantuar disa media franceze përballjen gjyqësore që do të “luhet” përballë Këshillit të Shtetit francez, të cili i është drejtuar Lyon, Amiens dhe Toulouse kundër vendimit për mbylljen e kampionatit.
Tre klubet do të paraqiten para gjykatësve nesër në orën 14:00. Për shkak të vendimit për mbylljen e parakohshme të kampionati, Lyon ka humbur mundësinë për të luajtur në Europë sezonin e ardhshëm, sepse mbante vendin e shtatë në renditje në momentin e ndalesës përfundimtare, ndërsa Amiens dhe Toulouse, në dy vendet e fundit, kanë rënë në Ligue 2.
Tre klubet kanë vendosur ta luftojnë vendimin “në çdo shkallë të gjyqësorit” dhe, pasi gjykata Administrative e Parisit ka hedhur poshtë kërkesën e tyre, karta e fundit që ka mbetur është ajo e Këshillit të Shtetit.