Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka përgëzuar KF Dukagjini për suksesin e arritur në Ligën e Konferencës. Skuadra nga Klina arriti të kalojë në rrethin e dytë të kësaj gare, duke shënuar arritjen më të madhe në histori të klubit deri më tani.
Postimi i plotë i Ademit:
Urime KF Dukagjini kualifikimi në rrethin e dytë në UEFA Conference League
Sot kemi një moment të veçantë për futbollin e Kosovës dhe për Klinën në veçanti!
Skuadra e Dukagjinit ka debutuar me sukses në garat evropiane, duke u kualifikuar në rrethin e dytë në UEFA Conference League. Pas fitores në ndeshjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” (2:1), skuadra e drejtuar nga Armend Dallku ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e kthimit në Gjibraltar ndaj FC Europa, me rezultat 3:2, duke e konfirmuar kualifikimin tutje.
Përgëzoj futbollistët, stafin e trajnerëve, drejtuesit e klubit, tifozët dhe gjithë qytetarët e Klinës për këtë arritje historike për klubin e tyre, me shpresë e besim se do të vazhdojnë me paraqitje dinjitoze edhe në rrethin e ardhshëm të kësaj gare.
Futbolli i Kosovës po rritet dhe po zhvillohet me një ritëm të shpejtë. Bashkë do të vazhdojmë të punojmë për suksese edhe më të mëdha në të ardhmen. Urime e ju priftë e mbara!