Dukagjini ka debutuar me fitore në garat evropiane.
Ekipi nga qyteti i Klinës triumfoi 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj ekipit nga Gjibraltari, Europa në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Dukagjini e nisi mirë ndeshjen duke krijuar disa raste të mira shënimi, sidomos me Altin Merlakun, i cili gjuajti jashtë.
Goli erdhi tek në minutën e 30-të, kur Bujar Shabani shënoi me vollej goditje.
Por, në sekondat e fundit të pjesës së parë, Europa barazoi rezultatin me një gol të Pozos me kokë.
Pjesa e dytë ishte më e dobët, me shumë pak raste shënimi.
Dukagjini mbajti posedimin dhe administroi kryesisht ndeshjen, por nuk arrinte ta gjente golin.
E atë e gjeti tek në minutën e pestë shtesë, kur Zulfiji realizoi për t’ia dhënë fitoren vendasve.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Gjibraltar.