Atleti më i suksesshëm në historinë e Ukrainës, mbajtësi i 35 rekordeve botërore në kërcimin me shkop, një kampion i shumëfishtë evropian dhe botëror dhe një fitues olimpik që nga fillimi i agresionit rus kundër vendit të tij, ka furnizuar me naftë pro-rusët, forcat në Donbas, sipas një zbulimi që habiti të gjithë në Ukrainë.
Kompania “Mont Blanc”, e cila i përket sportistit të njohur Sergej Bubka dhe vëllait të tij Vasilij, operon në territoret e pushtuara përkohësisht dhe u shet karburant “terroristëve rusë”, thuhet në hulumtimin e portalit “Bihus.info”.
“Vërtetë, nuk është një shumë e madhe parash, janë 830 mijë rubla ose rreth 9 mijë dollarë, por emocioni u shkaktua nga zbulimi se është i famshmi Bubka, ai që bën tregti me pushtuesit e vendit të tij”.
Gazetarët zbuluan, se kompania e tij u shfaq në regjistrin rus të personave juridikë në fillim të vitit 2023 dhe se në maj të këtij viti, ajo lidhi kontrata zyrtare në Donbasin e okupuar për dërgimin e karburantit për më shumë se 800 mijë rubla.
Të gjitha kontratat me pushtuesit mbajnë firmën e Vasily Bubkës si drejtues i kompanisë, i cili thuhet se është shtetas i Federatës Ruse, ndërsa Sergej Bubka figuron në të njëjtat dokumente si shtetas i Ukrainës.
Kompania familjare e Bubka ka gjithashtu të paktën gjashtë stacione karburanti, të cilat të gjitha ndodhen në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia: katër në Donetsk dhe nga një në Makiivka dhe afër Volnovakha.
Bubka është kritikuar më parë në publik për pikëpamjet e tij pro-ruse. Atleti i famshëm ishte një përfaqësues i Partisë së Rajoneve, të udhëhequr nga Viktor Yanukovych.
Në prill të vitit të kaluar, portali ukrainas “Sport” akuzoi Bubkën se po vepron ashtu siç fryn era dhe se vetëm po pret të bëhet e qartë nëse do të fitojë Ukraina apo Rusia, për t’u pozicionuar.
Bubka nuk është shfaqur shumë që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe për këtë arsye është kritikuar nga publiku. Ai kurrë nuk përmendi haptazi luftën, as nuk e dënoi Rusinë si agresore. Ukrainasit e kritikuan atë, që nuk u prononcua për vendosjen e sanksioneve kundër atletëve nga Rusia dhe Bjellorusia.