Ademi e priti selektorin e ri Gliha, flasin për rrugëtimin në kualifikimet e Euro 2024

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka pritur sot në takim tashmë të emëruarin përzgjedhës të Kombëtares së Kosovës, Primozh Gliha.

Gjatë këtij takimi ata diskutuan për vazhdimin e rrugëtimit të Kosovës në kualifikimet e Kampionatit Evropian 2024.

Paraprakisht, Gliha do të jetë i pranishëm në ndeshjet e ekipeve të Superligës për garat evropiane, e gjithashtu do të vizitojë edhe Kampin Nacional, atje ku kombëtaret tona zinxhirë po zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe bashkërisht me ekipin e trajnerëve kombëtares në përbërje të Afrim Tovërlanit, Arbnor Morinës, Ahmet Beselicës dhe Thomas Richards do të analizojnë me kujdes situatën në të cilën ndodhet Kombëtarja e Kosovës dhe do të shqyrtojnë mundësitë për të arritur objektivat e FFK-së.

Ademi kërkoi nga përbërja e re udhëheqëse e ekipit kombëtar që të jenë sa më të përpiktë dhe të veprojnë konform normativave të FFK-së për ekipin kombëtar.

Gliha premtoi se do të punojë me shumë përkushtim dhe me të gjithë kapacitetin që ka ekipi kombëtar për ta kthyer Kosovën në rrugën e fitores dhe për të arritur rezultate sa më pozitive.

Ndonëse është shumë e vështirë arritja e objektivit, sipas Glihas, rrugëtimi ende nuk ka përfunduar.

Ai e konsideroi përparësi angazhimin disavjeçar në pozicione të ndryshme në futbollin e Kosovës, teksa e vlerësoi përzgjedhjen e ndihmësve të tij.

Gliha njëherësh ka kërkuar nga të gjithë futbollistët që ta respektojnë maksimalisht fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe ta japin maksimumin.

Në ditët në vazhdim përzgjedhësi Gliha do të takojë ekipin e tij për të kërkuar nga afër përkrahjen, kapitenin Amir Rrahmani dhe futbollistët tjerë në vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë, e po ashtu do të takojë edhe tifozët Dardanët për t’i njoftuar me vazhdimin e projektit për Kosovën në Evropian dhe për të kërkuar përkrahjen e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *