Suad Sahiti i bashkohët kampionëve të Maqedonisë së Veriut

Skuadra kampione e Maqedonisë së Veriut, FC Shkupi, pas kthimit nga Bolu, ku edhe zhvilloi fazën kryesore të përgatitjeve, nga e hëna i është kthyer punës në Çair.

Ashtu sikurse po afrohet dita e ndeshjes së turit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës, në ekipin shqiptar kemi dhe ardhjen e re. Bëhet fjalë për sulmuesin e krahut, por i cili shpesh herë luan edhe si sulmues qendror. Fjala është për 28 vjeçarin, Suad Sahiti, i cili nuk është emër i panjohur në futbollin vendor.

“Ndjehem i lumtur që jam pjesë e Shkupit, e di që kanë tifozeri të zjarrtë dhe në këto vitet e fundit është një klub shumë mirë i organizuar dhe në nivel shumë të lartë, besoj se me ekipin që e kemi në fund të kampionatit të gjithë së bashku të jemi të lumtur dhe të festojmë titullin kampion”, ishin fjalët e para të Sahitit pasi veshi fanellën e klubit tonë

Kujtojmë se Sahiti karrierën e kishte nisë te klubi Hajvalia, që më pas të vazhdojë në vendin tonë me Rabotniçkin, në Shqipëri te Skënderbeu, Larisa në Greqi, Septemvri Sofje në Bullgari, Wisla Plok në Poloni, Zrinjski Mostar (BeH) dhe Shibeniku i Kroacisë, ndërsa sezonin e kaluar ishte pjesë e Llapit të Kosovës.

28-vjeçari Sahiti, në këtë mënyrë rikthehet në futbollin e vendit tonë, ndërsa kujtojmë se ai ishte pjesë edhe e përfaqësueses së Kosovës në vitin 2017. Shkupi dhe Sahiti u dakorduan për kontratë një vjeçare me opsion për ta vazhduar edhe për një vit tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *