Leverkuseni e rrit çmimin, Xhaka po largohet nga Arsenali

Granit Xhaka do të largohet nga “Emirates” këtë verë dhe do të kthehet në Bundesligë, duke iu bashkuar skuadrës së drejtuar nga Xabi Alonso.

Marrëveshja është afër finalizimit dhe zyrtarizimi pritet që të ndodhë në ditët në vijim.

Megjithatë, sipas mediumit të afërt me klubin londinez, “football.london”, transferimi i Xhakës nga Arsenali te Bayer Leverkuseni do të bëhet për 25 milionë euro.

Të dy klubet thuhet se kanë rënë dakord për këtë çmim.

Më herët ishte raportuar për një marrëveshje prej 15 milionë eurosh, por Arsenali duket se ka kërkuar më shumë dhe ia ka dalë që të sigurojë edhe 10 milionë euro më shumë.

Kujtojmë se mesfushori nga Kosova ka marrëveshje me Bayer Leverkusenin për një kontratë 4-vjeçare.

Largimi i Xhakës do t’i japë fund qëndrimit të tij shtatëvjeçar në veri të Londrës. Gjatë kohës së tij me Arsenalin, ai bëri 297 paraqitje, duke shënuar 23 gola dhe kontribuar me 29 asistime.

Reprezentuesi i Zvicrës gjatë periudhës së tij me “Topçinjtë” fitoi katër trofe; dy Kupa FA dhe Superkupa të Anglisë.

Përveç mediumit nga Londra, për marrëveshjen e re për transferimin e Xhakës në “BayArena” kanë raportuar edhe mediume tjera të Anglisë.

Gazetarët e afërt me klubin e Arsenalit, Chris Wheatley dhe Charles Watts, raportuan se kalimi i 30-vjeçarit te Bayer Leverkuseni është i afërt, duke shkruar për të njëjtat detaje të marrëveshjes gjithashtu.

Edhe eksperti i njohur i transferimeve, Fabrizio Romano, njoftoi sot se Xhaka do t’i bashkohet Bayer Leverkusenit pasi Arsenali të ketë nënshkruar me Declan Rice.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *