Kombëtarja shqiptare ka mbyllur dje përgatitjet me seancën e zhvilluar në stadiumin “Torsvullur” të Torshavnit, aty ku sot do të luhet në orën 20:45 ndeshja e tretë e kuqezinjve kundër vendësve të Ishujve Faroe, e vlefshme për grupin E eliminator.
Nga burime pranë ekipit kuqezi, trajneri Silvinjo mësohet se nuk ka ndër mend të bëjë ndryshime në formacion, edhe pse ndeshjet kanë qenë afër njëratjetrës dhe lodhja mund të ndihet më shumë se duhet tek disa lojtarë. Duke përjashtuar ndonjë surprizë të minutave të fundit, Silvinjo ka konfirmuar formacionin që fitoi 2-0 kundër Moldavisë tri ditë më parë. Me skemën 4- 2-3-1 dhe Etrit Berishën në portë, mbrojtja do të formohet nga Elseid Hysaj në të djathtë dhe Mario Mitaj në të majtë.
Qendra e prapavijës do të jetë me dyshen Ardian Ismajli-Berat Gjimshiti. Përpara mbrojtjes do të rreshtohen Ramadani dhe Bare, me të parin që do të jetë në rolin e një shkatërruesi të mirëfilltë. Pak përpara tyre në mesfushë do të jetë Nedim Bajrami, ndërsa nga krahët Jasir Asani dhe Myrto Uzuni. Në majën e sulmit do të luajë Sokol Cikalleshi. Silvinjo ka marrë 24 lojtarë në Ishujt Faroe, ndërsa nuk udhëtuan të dielën me skuadrën vetëm portieri Simon Simoni dhe mbrojtësi Ardian Bajrami. Sipas njoftimit të FSHF-së, dy lojtarët që nuk janë përfshirë në listën finale për ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe.
RIVALËT E GRUPIT – Ndërkohë që kuqezinjtë do të tentojnë sot fitoren e dytë radhazi në Ishujt Faroe, vëmendja patjetër që do të jetë edhe nga kundërshtarët e tjerë të grupit. Në mbrëmje, Polonia do të luajë në transfertë ndaj Moldavisë, në të njëjtin orar me përfaqësuesen tonë, 20:45. Çdo hap fals i polakëve pretendentëve për kreun, natyrisht që favorizon kuqezinjtë. Aktualisht Çekia është e para në renditjen e grupit me 7 pikë, por ka një ndeshje më shumë se Shqipëria dhe Polonia.