Tashmë zyrtarisht është marrë vendim që ekipi prizrenas, FC Liria të mbetet në superligë.
Vendimi është publikuar pak minuta më parë.
Ja vendimi i plotë:
Vendim i KG-së për ndeshjen e barazhit Ferizaj – Liria
Komisioni i Garave i FFK-së në përbërje: Abdyl Bellopoja-kryetar, Isak Ejupi dhe Agim Kastrati-anëtarë, në seancën e vetë të mbajtur me datë: 07.06.2023, duke vendosur lidhur me regjistrimin e ndeshjes së barazhit në mes të KF Ferizaj dhe KF Liria, si dhe të ankesës së ushtruar nga: Klubi i Futbollit Ferizaj, lidhur me kontestimin e rregullsisë së kësaj ndeshje, Komisioni i Garave si organ i autorizuar dhe kompetent, konform nenit 66 të Propozicioneve të Garave dhe nenit 71 të Regullores së Garave, më datë: 07.06.2023 mori këtë:
V E N D I M
Refuzohet si e pabazuar ankesa e KF Ferizaj – nga Ferizaj dhe ndeshja e barazhit në mes KF Ferizaj dhe KF Liria regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, në kohë të rregullt e pas vazhdimeve 0:0, me penallti 0:3 në favor të KF Liria nga Prizreni.
A r s y e t i m
Komisioni i Garave në seancën e vet të mbajtur me datë 07.06.2023, me rastin e regjistrimit të kësaj ndeshje, konstatoi se KF Ferizaj ka ushtruar ankesë duke kontestuar rregullsinë e kësaj ndeshje për shkak se lojtari Liridon Fetahaj me ID.00636M91 është paraqitur në ndeshje pa të drejtë, për shkak të skadimit të kontratës. Gjatë administrimit të ankesës si dhe të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se: Për Komisionin e Garave, sipas nenit 71, paragrafi 1, të Regullorës së Garave janë përmbushur të gjitha kushtet për administrim dhe vendimmarrje lidhur me ankesën. Se, Komisioni i Garave në ecurinë e procedimit juridik të administrimit të provave dhe të vendimmarjes ka kërkuar deklarata nga zyrtarët kompetent të FFK-së. Bazuar në kushtet e përgjithshme për gara dhe sipas nenit 13 të Rregullores së Garave, viti garues fillon më 01 korrik , ndërsa përfundon më 30 qershor të vitit të ardhshëm. Viti është i ndarë në dy stinor – vjeshtor dhe pranveror dhe se ndeshja e barazhit është vazhdim dhe juridikisht kualifikohet si ndeshje e stinorit pranveror që është brenda edicionit të garave për
vitin 2022-2023. Po ashtu edhe sipas nenit 29 të Propozicioneve të Garave lojtatri Liridon Fetahaj ka qenë i licencuar për edicionin e garave për vitin 2022-2023, kështu që pretendimet e palës ankimore nuk u vërtetuan, prandaj, ankesa e KF Ferizaji, refuzohet si e pabazuar dhe ndeshja e barazhit mes KF Ferizaj dhe KF Liria, regjistrohet me rezultat të arritur në fushë, në kohë të rregullt dhe pas vazhdimeve 0:0, me penallti 0:3 në favor të KF Liria. Nga theksimet e lartëshënuara u vendos si në dipozitiv.
Këshilla juridike:
Pala e pakënaqur ka të drejtën e kundërshtimit në inicime-raporte/ankesës në Vendime tek Komisioni Disiplinor i FFK-së/ Komisioni i Apelit i FFK-së, në bazë të Rregullores së Garave, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij vendimi në faqen zyrtare të FFK-së, apo datës së dërgimit në emailin e klubit.
Kryetari i Komisionit të Garave
Abdyl Bellopoja