Selmani e Hajrizi paralajmërojnë Pejën: Po bëhemi gati ta festojmë titullin

Mbrëmja e së enjtes do të jetë e rezervuar për spektaklin e basketbollit kosovar, aty ku Trepça do të jetë nikoqir i Pejës në finalen e pestë dhe vendimtare për titullin e kampionit të Kosovës në basketboll.

Në klubin mitrovicas janë të bindur se titulli do të jetë në duart e tyre dhe festa do t’i takojë tifozerisë “Torcida” që pritet ta stërmbushin palestrën “Minatori”.

Trajneri Ilir Selmani thotë për KosovaPress se kualiteti i skuadrës dhe mbështetja e madhe e tifozëve në palestër do të jenë faktor vendimtar që Trepça të shpallet kampion.

“Atmosfera është e mirë, djemtë janë të përkushtuar maksimalisht, të përqendruar. Lëndime nuk kemi përveç qendrës sonë i cili për momentin ka pësuar një lëndim lojën e fundit dhe do ta shohim konstatimin e mjekëve se a është në gjendje të paraqitet në lojën e ardhshme. Unë besoj në kualitetin e tyre, besoj në përkrahjen e madhe te qytetarëve të Mitrovicës, besoj në përkrahjen e madhe të tifozerisë “Torcida” edhe besoj që të enjten do të kurorëzohemi me titullin kampion”, tha Selmani.

Kurorëzimin eventual me titull kampioni Selmani e konsideron si një arritje historike për të personalisht, derisa tifozëve u bënë thirrje për sjellje korrekte gjatë ndeshjes.

Ndërsa, njeriu kryesor i Trepçës në katër ballafaqimet me Pejën, Drilon Hajrizi, ka thënë për KosovaPress se Trepça e ka dëshmuar tashmë që është skuadra më e mirë në ligë. Ai premton maksimumin e tij gjatë një ore lojë ndaj Pejës.

Sfida e pestë që zhvillohet të enjten me fillim nga ora 20:00 në “Minatori” vjen pas barazimit 2-2 në seri mes Trepçes dhe Pejës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *