Pasi kishte ndërruar jetë legjenda Fadil Vokrri, në emergjencën e moslënies së FFK-së pa drejtues të gjithë ishin të unifikuar, nënkryetari i parë i z. Vokrri dhe jo vetëm, nënkryetari i secilit kryetar prej më shumë se dhjetë vitesh, z. Agim Ademi shihej si njeriu më kompetent që vazhdonte t’i printe Kosovës së sapo pranuar në UEFA e FIFA.
Por, a ishin të sinqerta të gjitha “rrahjet e shpinës” së Ademit nga disa njerëz brenda zyreve të FFK-së, të cilët deri në një moment, në secilën paraqitje televizive thonin fjalët më të mira për të? A ishin të sinqertë njerëzit që merrnin paga të “majme” brenda FFK-së, sepse përkrahja e njerëzve të futbollit të vërtetë, atyre që derdhin djersë e të mira financiare nga bizneset apo familjet e tyre, u vërtetua disa herë.
U vërtetua sa herë që duhej të ngritej dora lart, sado që “rrjeti” i atyre me paga të larta që tashmë ishin larguar nga FFK bënin zhurmë mediale, duke ftuar nëpër konferenca gazetarë, ku pas secilës fjali të tyre dëgjohej togfjalëshi “A e dini sa ka pare në FFK?”. Pra, të vetmin shqetësim e kishin tek mjetet financiare që UEFA e FIFA i ndajnë çdo vit për ardhmërinë e këtij vendi, për rininë e Kosovës, e cila më në fund, po përfiton nga kushtet çdo ditë e më të mira nëpër terrenet e stërvitjeve nëpër çdo cep të Kosovës.
DUAM ZGJEDHJE BRENDA FFK-së
Ishte krijuar një propagandë e çuditshme që gati e pati bindur opinionin vendor nëpër media televizive se dikush po u frikësohej zgjedhjeve në FFK. Katër vite kishin folur për nevojën për zgjedhje, duke arsyetuar sesi Agim Ademi nuk e ka përkrahjen e as 5-6 delegatëve.
Bënin “BE e Rr’FE” se Agim Ademi e kishte uzurpuar FFK-në dhe frikohej t’i thërriste delegatët, porse dita do të vijë e aty do ta shohin të gjithë se ate nuk e do askush, si dhe qysh këta janë disa kandidatë që nuk kanë asnjë lidhje mes veti, ani pse “ia thonin të njëjtës këngë” kudo që shkonin. Në fund, vitin e kaluar kur u caktua data për mbajtjen e zgjedhjeve brenda FFK-së, pikërisht këta që përditë po kërkonin zgjedhje, u zunë në befasi.
Jo, tani nuk duam zgjedhje, nuk jemi gati – thoshin ata. Sigurisht zgjedhjet po mbaheshin në datën e paralajmëruar, por fatkeqësisht këta që nuk kishin të bënin asgjë me njëri tjetrin u bënë njëzëri, duke e nxjerrë kandidat të përbashkët djalin e legjendës Vokrri, Gramozin, i cili në secilën paraqitje të tij, sinqeriteti i një djali të edukuar tradhtonte dhe qartë shihej se ai ishte vetëm bartës i “stafetës” dhe se dikush tjetër kishte plane të mirëorganizuara. Plane këto të cilat dështuan në ditën D kur ata që duhet të ngrejnë dorën PRO ose KONTRA, ishin më shume se 90% për Ademin, ndërsa “reformatorët” nuk arritën të bëjnë numrat e nevojshëm për kundërkandidatin e tij, pasi nuk iu kishin mjaftuar as katër vite për tu bërë gati.
UDHËZIMI ADMINISTRATIV
Pasi dështuan, ata kishin kurdisur planin B. Në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ishte ngritur një “kurth” që pretendonin se do të bjerë Ademi. Pse pretendohet se “reformatorët” lidheshin ngushtë me komisionin e MKRS-së? Sepse, qysh gjashtë muaj më parë, “përfaqësues” të të pakënaqurve, që dikur merrnin paga të majme brenda FFK-së, po paralajmëronin nëpër tryeza kafeneve, por edhe tërthorazi nëpër studio televizive se në MKRS po përgatitet një ligj, i cili “ia pret krahët” Ademit, pasi që lidhet me një proces gjyqësor qysh 10 vite më parë, që nuk ishte gjykuar deri atëherë nga gjykatat tona, ani se Ademi ndodhej tërë kohën në Kosovë dhe nuk i kishte ikur drejtësisë. Kush po iu jepte informacione këtyre të pakënaqurve se çfarë ligjesh po sjellë MKRS?
Ligjin e Sponzorizimit, më të mirin që e ka Kosova, të cilit iu gëzuan të gjithë sportistët, dinakërisht e lidhën ngushtë me licencimin e FFK-së nga ana e MKRS-së. Këtë e konsideruan si gjetjen ideale për të nisur “shkëputjen e zorit” të Ademit me përfaqësuesit e klubeve, që po e përkrahnin pa kushte, duke ia besuar punën dhe duke i kërkuar që vetëm të vazhdojë.
Pas disa seancave për çështjen e para dhjetë viteve, Ademi shpallet i pafajshëm dhe rrjedhimisht komisionit të MKRS për licencim i digjet arma e vetme në dorë për ta sulmuar përballë klubeve të cilëve po iu thoshin largojeni nga kreu i FFK-së, nëse doni të licencoheni.
Të dëshpëruar pas shpalljes së pafajshme të tij dhe lirimit nga secila aktakuzë që lidhej me rastin e montuar të dhjetë viteve më parë, grupi i të pakënaqurve, i atyre që kishin paga të fuqishme sa ishin brenda FFK-së, sikur morën pak oksigjen kur muaj më parë Ademi arrestohet si një drejtues i ndonjë “karteli droge”, thuajse i kishte ikur ndonjëherë drejtësisë, pikërisht në javën kur Kosova po pritej të fillonte rrugëtimin për kualifikim në EURO 2024. U mbajt në paraburgim, pastaj në arrest shtëpiak, duke i mbushur plot “jetë” të pakënaqurit, te cilet i kërkonin komunitetit të futbollit që në shpejtësi të mblidheshin e ta shkarkonin Ademin.
Sigurisht një gjë e tillë nuk ndodhi dhe pas disa ditëve mbajtjeje në shtëpi, Ademi i kthehet zyrës së FFK-së, i mirëpritur nga bashkëpunëtorët.
LICENCOHET Federata e Futbollit të Kosovës
Këtë javë, më në fund licencohet FFK. Sado që të gjithë e kuptuan se Ademi nuk ka qenë asnjëherë problem për këtë moslicencim, por pikërisht klubet, ai asnjëherë nëpër paraqitje televizive nuk kishte thënë se klubet nuk i plotësojnë kushtet, por i kishte mbrojtur gjithnjë.
Ademi ju ka premtuar klubeve se do t’u ndihmojë në secilën sferë ku është e mundur, jo vetëm për tu licencuar, por edhe për secilën nevojë që ka kërkesë që futbolli të fitojë, që të rinjtë të fitojnë, që Kosova të fitojë.