Vështirë të kujtohet një yll futbolli që premtonte kaq shumë, dhe në fund u “zhduk”, si Royston Drenthe.
Sot holandezi është larg elitës botërore të futbollit, pasi karriera e tij është në rënie.
Kur ai mbërriti në Real Madrid nga Feyenoord në vitin 2007, kur Royston Drenthe ishte shpresa më e madhe e futbollit në botë. Megjithatë, ai luajti vetëm 46 ndeshje në Real dhe filloi një trajektore në rënie atje.
Ai luajti te Everton, Hercules, Reading dhe disa skuadra të tjera angleze dhe evropiane, hap pas hapi, deri u zhduk nga harta e madhe e futbollit, për t’u rikthyer sot në fokusin e publikut.
Ai është tani 35 vjeç dhe nëse do të kishte vazhduar me zhvillimin e tij futbollistik, ne do ta shihnim ende në ekranet e tona. Mirëpo, sot në mediat holandeze është bërë e ditur se ai ka nisur punën në shëndetësi.
“E gjithë familja ime ishte në kujdesin shëndetësor. Tezja Helen është infermiere, nëna ime kujdestare dhe disa vite më parë mendova: “Pse të mos ndjek edhe unë mësimet dhe të shoh se si ia dal atje?”, ka thënë Drenthe.
Nuk ishin vetëm ide dhe kurse. Kohët e fundit Drenthe është punësuar në departamentin e personave me demencë dhe tha se puna në shëndetësi e bën atë një person më të mirë.
“Unë shoh një anë krejtësisht të ndryshme të botës. Puna më ndihmon të bëhem një person më i mirë në këtë shoqëri. Unë jam mësuar gjithmonë me magjepsjen e futbollit, por kjo më pasuroi si person. Kjo është ajo që kërkoja. Kam luftuar shumë në fund të karrierës sime futbollistike. Fakti që ti e di se çfarë dëshiron të bësh, por në momentin që fillon ta bësh, pyet veten nëse është me të vërtetë ajo që të pëlqen”, shtoi holandezi.
Drenthe nuk e ka braktisur plotësisht futbollin. Ai iu bashkua klubit amator holandez Kozakken Boys. Në sezonin e ardhshëm ai do të luajë për këtë klub.