Ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ishte i ftuar në emisionin “BlicInterview” me Astrit Gashin, ku ndër të tjera ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës.
Kosova kishte një mundësi të artë që në kualifikimet e “Euro 2020” të siguronte pjesëmarrjen me “Nations League“, pasi kishte siguruar vendin e parë në grup në Ligën D.
Megjithatë, në finalet e kësaj gare Kosova pësoi humbje nga Maqedonia e Veriut duke shuar ëndrrat e ‘Dardanëve’ për kualifikim.
Eroll Salihu ‘arsyetoi’ humbjen e Kosovës me pandeminë e kohës, ku për shkak të “COVID-19” shumë lojtarë nuk ishin në gjendje t’i përgjigjen ftesës së Kosovës.
“Në atë kohë ka qenë epidemia, ky virusi edhe shumë lojtarë nuk iu kanë përgjigjur ftesës, nuk kanë ardh për arsye të ndryshme. Unë ndoshta edhe u kam hyrë në hak sepse i përkas asaj gjenerate dhe kam thënë: Nuk kish pas fuqi që më ndalë me ardh për përfaqësuesen. Nuk e kemi pasur luksin për të luajtur pa 3-4 lojtarët më të mirë. Nuk po e quaj dështim, por nuk kemi arritë qëllimin që ka qenë aq afër“, tha Salihu në “Blic Interview”.
Salihu deklaroi se FFK u kishte ofruar të gjitha mundësitë në atë kohë që lojtarët të ishin pjesë për atë ndeshje.
“Po, madje kishim në plan që të dërgonim edhe aeroplan privat për lojtarët në rast nevoje, por të them të drejtën në ditët e fundit e kam parë që disa lojtarë nuk kanë shfaqur vullnet për të ardhur“, shtoi Salihu.
Kujtojmë që në grupin I të kualifikimeve për “Euro 2024” bashkë me Kosovën bëjnë pjesë kombëtare si: Zvicra, Izraeli, Rumania, Bjellorusia dhe Andora.