Kosova ka nisur sot ciklin e kualifikimeve të Kampionatit Evropian “Euro 2024” ndaj Izraelit.
“Dardanët” barazuan me rezultat 1-1 në udhëtim në stadiumin “Bloomfield Stadium” në Tel-Aviv.
Kosova ishte e para që shënoi gol me anë të një autogoli të Dasa të shënuar pas pasimit që Rashica dërgoi në drejtim të Muriqit në minutën e 36’të të takimit.
Rashica shënoi për të tundur për të dytën herë rrjetën e izraelitëve në minutën e 49’të, por goli i tij u anulua nga VAR për prekje të topit me dorë.
Në minutën e 56’të Peretz ishte ai që barazoi shifrat në 1-1 për epilogun përfundimtar të këtij takimi.
Pas ndeshjes, sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi foli për Digitalb ku tha se ishte një ndeshje e vështirë dhe që mund të kishte epiloge të ndryshme.
“Një ndeshje e rëndësishme për ne. E kemi ditur se Izraeli është i fortë. Janë favoritët e grupit së bashku me Zvicrën. Mendoj se ka qenë dashur ta kishim ndeshjen më në kontroll, ishte një ndeshje që mund ta humbnim ose ta fitonim. Tani duhet të kthehemi në Kosvë dhe ta mposhtim Andorën dha ta mbyllin muajin me 4 pikë. Patëm raste të 100%-ta”, tha Muriqi.