Alarmojnë klubet: MKRS të licencojë FFK-në, po futemi në krizë financiare

Edhe më tutje Federata e Futbollit të Kosovës vazhdon të jetë njëra nga federatat e pakta që ka mbetur pa u licencuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Shpresat që ky proces të përfundojë ditëve në vijim janë më të mëdha pas lirimit nga akuza e kryetarit të kësaj federate Agim Ademit, që ishte njëri nga kushtet e MKRS-së që kjo federatë të licencohet.

Nga ky moslicencim i FFK-së po e pësojnë klubet e futbollit të cilat kanë bërë thirrje drejtuar MKRS-së që të merret seriozisht më këtë proces pasi janë duke u futur në një krizë të thellë financiare.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë për KosovaPress se dëmi që po e pësojnë klubet është shumë i madh dhe nëse vazhdohet kështu, futbolli kosovar do të pësojë rënie të madhe.

Batatina ka thënë se ministria duhet të marr parasysh rrethanat në të cilat punohet në Kosovë dhe të mos jetë aq shumë rigoroze në kërkesat e saj, por t’i shtyjë proceset përpara.

Pasojat e moslicencimit po i ndien edhe klubi i futbolli Gjilani. Menaxheri i kësaj skuadre, Drilon Sylejmani duke folur për KosovaPress ka bërë apel që të përfundojë para datës 31 mars në mënyrë që ta kenë mundësinë të përfitojnë të hyra nga sponsorët.

Kurse Kushtrim Sopa, administrator te klubi i futbollit Prishtina, ka deklaruar se nga futbolli varen rreth 4 mijë familje që marrin pagë në baza mujore dhe se ky fakt duhet të merret parasysh nga Ministria e Sportit.

Sipas tij, Ligji i sponsorizimit ndikon direkt në stabilitetin financiar të klubeve.

Kujtojmë se Federate e Futbollit e ka ndryshuar edhe statutin e saj në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të mbajtur më 27 janar të këtij viti që ishte një kusht tjetër i vendosur nga MKRS-ja për licencimin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *