Richarlison hyri në fushë në minutën e 70-të në ndeshjen kundër Milanit, në sfidën e kthimit të Championsit që u mbyll 0-0 dhe me eliminimin e skuadrës së drejtuar nga Antonio Conte nga kompeticioni.
Pas ndeshjes, sulmuesi brazilian, dukshëm i mërzitur, foli shumë qartë për fiaskon e Tottenhamit dhe vuri në dukje një fajtor (Conten).
“Nuk ka shumë për të folur. Mendoj se duhet të kisha luajtur dhe tani nuk kam pse të qaj”, – tha sulmuesi brazilian për TNT Sports, duke kritikuar gjithashtu mënyrën se si ekipi e përfundoi ndeshjen në Londër.
“Sigurisht që jemi jashtë kompeticionit më të rëndësishëm për klube. Skuadra nuk mund të luajë kështu, kur ka nevojë të shënojë. Duhet të luanim më shumë në sulm, veçanërisht në pjesën e dytë.
Nuk duhet të gjejmë fajtorë tani, ajo që na ka mbetur është vetëm Premier League. Duhet të stërvitemi më shumë për të bërë përpjekje në ndeshjen e ardhshme”, theksoi Richarlison.
Kritik edhe me veten
“Kanë mbetur pak a shumë edhe 20 ndeshje. Klubi ka paguar një çmim shumë të lartë për mua dhe për momentin nuk jam përgjigjur në fushë. Tani është koha të shkoj në shtëpi, të pushoj, nesër është stërvitja shumë herët dhe të shohim nëse do të luaj titullar në ndeshjen e radhës”, – përfundoi ai.