Xhiro e 24 e Superligës së Kosovës në futboll do të kompletohet sot me dy ndeshje ku përplasen katër skuadrat që e kryesojnë renditjen tabelare.
Në stadiumin e qytetit në Suharekë lideri dhe kampioni në fuqi, Ballkani do të ballafaqohet me Dritën e vendit të dytë. Skuadra e Ilir Dajës ka vetëm dy pikë më shumë se ajo e Arsim Thaqit në prag të kësaj ndeshje, andaj rëndësia e këtij derbi është jashtëzakonisht e madhe.
Përballje tjetër po kaq interesante do të jetë edhe ajo që zhvillohet në qytetin e Gjilanit. Prishtina do të jetë mysafire e skuadrës së Gjilanit, me të dy skuadrat që po luftojnë për të siguruar një vend që dërgon në garat evropiane në sezonin e ardhshëm.
Të dy ndeshjet startojnë nga ora 13:00.