Atletico Madrid fitoi një pikë ndaj rivalit të qytetit Real në Santiago Bernabeu. Edhe pse kanë luajtur me një lojtar më pak për gjysmë ore pas përjashtimit të Angelo Correa, ata arritën të barazojnë në një stadium aq të vështirë. Megjithatë, ata nuk janë të kënaqur me gjyqtarin Jesus Gil Manzano dhe kanë bërë të ditur publikisht se janë të dëmtuar.
Portieri Jan Oblak tha gjithçka para kamerave. Nuk është logjike për të që ekipi i tij të qëndrojë vazhdimisht me një lojtar më pak kur luan ndaj Realit.
“Kohët e fundit e përfundojmë shpesh ndeshjen me 10 lojtarë në këtë stadium. Shpresoj që në ndeshjen e radhës të mos fillojmë me një lojtar më pak”, tha Oblak i zemëruar pas ndeshjes.
Edhe trajneri i Atleticos, Diego Simeone, ka pasur problem me atë që ka parë në fushë. As ai nuk është aspak i kënaqur.
“Mund të kishte shkuar në çdo mënyrë. Ndonjëherë vendimi është për ju, ndonjëherë kundër. Megjithatë, sa herë që vijmë këtu vendimi është kundër nesh,” tha Diego Simeone.