Inter fitoi minimalisht me rezultatin 1-0 në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-tave në Champions League teksa zikaltërit mposhtën në San Siro, Porton.
Sfida ishte e komplikuar për italianët teksa e zgjidhën vetëm në minutën e 86-të me një gol të Romelu Lukakut, i cili ishte një zgjedhje e dytë e trajnerit Simone Inzaghi dhe u aktivizua në pjesën e dytë.
Një fanellë titullari ishte rezervuar për Dzekon i cili nuk ia doli të rrezikonte portugezët, por u bë protagonist për një debat me portierin Andre Onana në fraksionin e parë. Portieri u afrua të protestonte tek arbitri në minutën e 37-të, por sulmuesi iu kthye keq duke i kërkuar të qëndronte në portë dhe të mbyllte gojë. Ai që ndërhyri ishte Hakan Calhanoglu me turkun që mendoi të zbuste situatën ndërsa pas sfidës, Onana u shpreh se bëhej fjalë për nervat e zakonshme në lojë.
“Ishte tensioni i ndeshjes, ndonjëherë kemi vizion të ndryshëm por gjithçka bëhet për të mirën e skuadrës. Jemi lojtarë me eksperiencë dhe secili thotë atë që mendon, e kemi këtë të drejtë. Mendoj se ai episode tashmë është harruar dhe më këtë inat e ambicie mund të fitojmë ndeshje të rëndësishme”, u shpreh Onana.