Federata e Hendbollit e ‘zemëruar’ me ministrinë Vitia,

Federata e Hendbollit të Kosovës ka reaguar pas deklaratve të fundit të ministrit Arben Vitia gjatë konferencës së sotme.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Vitia ka treguar sot se sa i përket aktiviteteve sportive, njëherë është vendosur që të vazhdohet vetëm me Superligën e Kosovës në futboll.

Rreth këtij vendimi më herët reagoi trajneri i xhudos, Driton Kuka, kurse tani me reagim ka dalur edhe Federata e Hendbollit.

FHK-ja thotë se është e befasuar nga deklarata e Ministrit në detyrë të Shëndetësisë.

Më poshtë reagimi i plotë nga FHK:

FHK-ja mohon se ka hequr dorë nga garat

“Federata e Hendbollit të Kosovës ka pritur me befasi deklaratën e Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia për mundësinë që garat e hendbollit mos të vazhdojnë.

FHK-ja ka dorëzuar me kohë planin për kthim të aktiviteteve, duke u bazuar në lehtësimin e masave nga faza e tretë.

Skuadrat tona presin që nesër të kthehen në stërvitje kurse më 13 qershor vazhdon edicioni i ndërprerë në mars.

Plani ynë i detajuar është dorëzuar në MKRS dhe KOK, kurse plani parasheh masat adekuate për ruajtje të shëndetit për pjesëmarrësit.

Prandaj kërkojmë që menjëherë të zyrtarizohet vendimi për kthim të aktiviteteve edhe në sportet tjera, pasi në vendin tonë nuk është vetëm një sport.

Është absurde të hapen qendrat tregtare me mijëra vetë e mos të lejohen aktivitetet sportive.

Presim reflektim të menjëhershëm dhe adresim të çështjes nga MKRS dhe KOK.

Klubet nesër planifikojnë kthimin në stërvitje në palestra, për të kurorëzuar një edicion të vështirë.

Kthimi në palestra është jetik për sportin tonë dhe gjithë komunitetin sportiv në vend

Mbesim të përkushtuar që përmes garës të shpallim më të mirët dhe të përcaktojmë skuadrat që do të na prezantojnë në Evropë.

Afati i fundit për këtë është fillimi i korrikut.

Skuadrat kanë mbajtur për tre muaj lojtarët e huaj në pritje të vazhdimit të aktivitetit, kurse shpenzimet e tyre janë shumë të mëdha.
Presim që sporti të jetë prioritet, e për më tepër një sport që për herë të parë ka dërguar Kosovën në Botëror.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *