Trajneri i Lazios, Maurizio Sarri ka folur në një konferencë për media në prag të takimit kundër CFR Cluj, e vlefshme për 1/16 e finales në Ligën e Konferencës.
Sarri mes tjerash në deklaratën e tij e ka përmendur me theks të veçantë edhe futbollistin nga Kosova, Ermal Krasniqin që është pjesë e ekipit rumun.
Tekniku i “Biancocelestit” ka vlerësuar Krasniqin si futbollist të fortë.
“Ne i kemi parë ndeshjet e fundit të Clujit ishin të kushtëzuara nga moti. Tokë e ngrirë, borë, erë. Ata kanë dy-tre lojtarë të nivelit të lartë, përfshirë edhe Krasniqin që është i fortë. Disa prej tyre dukeshin të fortë dhe të gatshëm për çdo gjë”, tha Sarri, njofton LazioNews.
Përballja e parë ndërmjet Lazios dhe CFR Cluj zhvillohet të enjten me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Olimpico” në Romë.
Ermal Krasniqi u transferua te CFR Cluj në afatin kalimtar dimëror të këtij viti nga kampioni i Kosovës, Ballkani.