Neymar mbetet në qendër të vëmendjes, pasi braziliani nuk po kalon një moment aspak të mirë në aspektin personal.
31-vjeçari u rikthye pas dëmtimit, por në duelin e fundjavës ndaj Monaco, paraqitja e tij la shumë për të dëshiruar dhe për më tepër ishte lojtari më i kritikuar, pasi Mbappe dhe Messi munguan në Principatë.
Gjatë pjesës së parë të sezonit, Neymar u shfaq në versionin e tij më të mirë, duke shënuar 11 gola dhe duke dhënë 9 asistime në 14 ndeshjet e para të kampionatit.
Por, krejt papritur forma e tij u zbeh dhe ai është zhdukur nga harta e golave dhe një formë e tillë thellon akoma edhe më shumë krisjen e brazilianit dhe drejtuesve parizienë, me këta të fundit që po presin kthesën, në rast të kundërt vera do të sjellë divorcin mes palëve.
Ajo çfarë ka acaruar më shumë stafin teknik dhe drejtuesit është se gjatë humbjes ndaj Monaco, Neymar u shfaq i tensionuar dhe reagoi ashpër ndaj Vitinha dhe Ekitike në fushën e lojës (minuta 65) duke treguar se gjendja e tij nuk është ajo e duhura.
Në shtëpinë e PSG nuk mendohet një “dënim” për ishin e Barcelonës, pasi sfidat e ardhshme janë përcaktuese për sezonin, por vera mund të sjellë pasoja.
Siç zbulohet nga mediet franceze, kontrata e nënshkruar nga braziliani në vitin 2021 gjatë zgjatjes së saj deri në vitin 2025, ka dy klauzola, të cilat ai i aktivizoi, për ta lejuar atë të lidhet me PSG-në për dy sezone të tjera.
Me fjalë të tjera, kontrata e Neymar përfundon në vitin 2027, gjë që e bën atë pothuajse të pashitshëm. Mes tarifës së transferimit dhe pagës që kërkon Neymar vështirë se ndonjë klub mund të tentojë transferimin e tij të plotë, por vera premton surpriza.