Real Madrid kampion bote për klube

Real Madrid nuk ka lënë vend për surpriza. Spanjollët u shpallën kampionë bote për klube për të pestën herë, pasi mposhtën me rezultatin 5-3 Al-Hilal nga Arabia Saudite. Djemtë e drejtuar nga Carlo Ancelotti i treguan dhëmbët që në fillimin e ndeshjes.

Pa u bërë 20 minuta ata shënuan dy gola në portën e Al-Hilal. Vinicius Junior nuk fali me një goditje diagonale brenda zonës, ndërsa më pas si goleador u shfaq Federico Valverde. Uruguaiani shfrytëzoi pasigurinë e kundërshtarëve në zone dhe me një gjuajtje fluturimthi e çoi topin në rrjetë.

Al-Hilal nuk u dorëzua dhe me një kundërsulm perfekt, me pasime të sakta nga zona e vet, doli para portierit Lunin me Marega dhe ky i fundit hapi sfidën. Ekipi nga Arabia Saudite kishte edhe pretendime për një penallti, për faull të Rudiger në zonë, por çuditërisht arbitri nuk mendoi ashtu.

Në 45 minutat e para nuk pati gol tjetër, ndërsa fraksioni i dytë i lojës nisi me rrjetë të tundur nga i zakonshmi Karim Benzema. Francezi nuk fali pak metra me portën, pas topit të dhënë nga Vinicius Junior. Festa e golave nuk mbaroi aty.

Valverde e mori sërish skenën, kur me një goditje brenda zonës e çoi rezultatin në 4-1. Kundërpërgjigja ishte e shpejtë nga Al-Hilal, që me anë të Vietto e ngushtoi sërish rezultatin. Për t’i vënë kapak fitores mendoi Vinicius Junior, i cili shënoi golin e dytë personal dhe të pestin për Realin, që ngriti në fund të ndeshjes trofeun e Botërorit për klube.

Për Al-Hilal Vietto më parë kishte shënuar edhe golin e tretë, pas një gabimi të Real Madrid në mbrojtje dhe një lëvizjeje teknike mjaft të bukur të sulmuesit në zonë. Ai gol ishte i fundit të kësaj finaleje, që i dha një tjetër trofe kampionëve të Europës dhe Spanjës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *