Real Madrid rikthehet te suksesi në kampionat teksa mposhti në shtëpi me rezultatin 2-0 ndaj Valencias. Los Blancos e dëshiruan më shumë fitoren dhe në fund gëzuan të pranishmit në stadiumin Santiago Bernabeu duke qëndruar pas këtij suksesi në garën për titull, aty ku për momentin udhëheq Barcelona.
Sa i takon pjesës së parë, madrilenët ishin imponues në fushë teksa u shfaqën superior ndaj Valencias. Megjithatë, ofensiva nuk u shpërblye kjo edhe për faj të Asensio që shpërdoroi të paktën dy raste të pastra, ndërsa mundësinë e patën edhe Benzema me Vinicius. Për t’u theksuar se golin e gjeti mbrojtësi Rudiger, por festa e gjermanit u anulua nga VAR.
Kjo sepse teknologjia evidentoi një faull në zonë nga ana e Karim Benzema. Në fraksionin e dytë, Reali vijoi të ishte këmbëngulës dhe në fakt u shpërblye në minutën e 52-të falë një supergoli të Marco Asensios. Sulmuesi goditi fort me të majtën në hyrje të zonës kundërshtare me sferën që u pushoi në rrjetë duke ndezur festën në Santiago Bernabeu.
Dhe, pikërisht atmosfera elektrizuese bëri që Vinicius të shpërthente si zakonishtë në krahun e majtë dhe me shpejtësinë që e karakterizon, e depozitoi për herë të dytë topin në rrjetë në harkun e tre minutave.
Ndërkohë, në të 71-tën pati tension me Gabriel Paulistën që ndërhyri rëndë ndaj Vinicius dhe u ndëshkua menjëherë me të kuq, duke ia bërë edhe më të pamundur reagimin shokëve të tij. Në fund nuk pati më histori me Realin që fitoi me shifrat 2-0.
Ishte një fitore e rëndësishme për madrilenët që mbeten në vend të dytë me 45 pikë, pesë më pak se kryesuesit e Barcelonës. Nga ana tjetër, Valencia renditet në vend të 14-të me 20 pikë.