Luka Modriq po konsideron që të jetë pjesë e Kroacisë edhe në Kampionatin Evropian 2024, që do të mbahet në Gjermani, ka konfirmuar pas ndeshjes trajneri kroat, Zlatko Daliq, i cili ka shumë shpresë që Modriqi do të vazhdojë me Kroacinë edhe në “Euro 2024”.
“Ai është kapiteni ynë. Ai luajti për mrekulli në këtë turne. Ai është lideri ynë dhe të gjithë e ndjekin atë. Ky trofe është edhe për të. Jam i lumtur për të. Dikush thotë se ky është fundi për të, por unë e mendoj se ai do të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë”, ka thënë Daliq.
I pyetur nëse ka marrë një “po” nga mesfushori 37-vjeçar, kur e ka pyetur nëse do të jetë pjesë e Kroacisë në Euro 2024, Daliq u shpreh: “Po”.
Kroacia mposhti Marokun 2:1 në ndeshjen për vendin e tretë. Është sukses i madh i kroatëve, që u futën në këtë turne si nënkampion.