Kombëtarja e Kosovës në grupmoshat U17 në kategorinë e femrave është ngjitur në Ligën A të raundit të dytë të kualifikimeve drejt Kampionatit Evropian “Estonia 2023”.
“Dardanet” e reja do ta nisin rrugëtimin e tyre drejt Evropianit 2023 në muajin mars, kur edhe fillojnë ndeshjet e raundit të dytë kualifikues, kurse shorti do të mbahet në Nyon më 7 dhjetor nga ora 10:00.
Ky raund kualifikues do të jetë përcaktues për shtatë skuadrat që do t’i bashkohen Estonisë në fazën finale që zhvillohet nga data 14 deri më 26 maj.
Kosova kaloi në Ligën A pasi që kishte bilancin më të mirë nga skuadrat e renditura në pozitën e dytë në Ligën B.
Nën drejtimin e trajneres, Sanije Krasniqi, vashat “Dardane” muajin e kaluar u pozicionuan në vendin e dytë në grup me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë e Moldavinë.