Kombëtarja e Kosovës nesër luan ndaj Armenisë nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjeve miqësore.
“Dardanët” kanë bërë thirrje që të gjithë të përkrahin nesër ekipin kombëtar në ndeshjen ndaj Armenisë.
Tifogrupi kosovar thotë se asnjë ndeshje kur luan Kosova nuk është e rëndësisë së dytë.
Më poshtë keni njoftimin e tyre:
“Për nesër u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të grupit që deri në ora 17:00 të jenë brenda sektorit tonë të tribunave në stadium.
Ndeshja nis në ora 18:00, ndërsa ne do të jemi aty një orë më herët për t’i përkrahur futbollistët tonë edhe kur ata do të zbresin në fushë për ta bërë stërvitjen e fundit para lojës.
Asnjë ndeshje kur luan Kosova nuk është e rëndësisë së dytë. Njësoj siç gëzohemi për golat e Vedat Muriqit, duhet të gëzohemi nesër edhe për pritjet e Visar Bekajt, e golat e luanëve tanë.
Të gjithë lojtarët kapërcejnë së bashku me ciklin e tyre, por vetëm dashuria për Kosovën nuk është e kapërcyeshme.
Për biletat në ndeshjen kundër Armenisë ju lutem kontaktoni personat përgjegjës që gjenden në qytetet e ndryshme të vendit. Ata do të ju orientojnë se kur dhe si do të bëhet nisja për në Prishtinë.
Për të gjithë ata që vijnë për t’u pajisur me bileta në selinë tonë, ju njoftojmë prapë se Fanclubi ka ndryshuar lokacion.
Besa, besë!
Forca Kosovë”, shkruhet në njoftim.