Të ndalësh dy penallti në një ndeshje futbolli brenda 90 minutave është ëndërr e pothuajse çdo portieri, megjithatë kjo arrihet shumë vështirë dhe natyrisht shumë rrallë.
Një gjë të tillë sot e përjetoi portieri i Dukagjinit, Kenan Haxhihamza në ndeshjen ndaj Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Haxhihamza e mbajti portën e paprekur në këtë duel, duke pritur dy penallti dhe duke ia mundësuar ekipit të marrë tre pikë tejet me rëndësi.
Fillimisht ai priti penalltinë e Gerhard Prognit në minutën e 43’të – teksa krejt në fund të dueli priti edhe penalltinë e Ilir Krasniqit (90′). Skuadra e tij, Dukagjini në fund fitoi me rezultatin 0:1.
“Është ndjenjë ndoshta e papërshkruar, ndjenjë e veçantë për të cilën po pres që një kohë, shpresoj se ka ardhur në momentin e duhur si në aspekt personal edhe në atë ekipor”, tha fillimisht Haxhihamza për ‘GazetaBlic Sport’.
Portieri theksoi se më së shumti është i gëzuar që skuadra e tij ka fituar tre pikët.
“Fakti që më së shumti më gëzon janë tre pikët që në këtë moment janë jetësore për ekipin që duhet ta falënderoj gjithsesi për superangazhim, për golin e shënuar dhe çdo hap vrapi që kan bërë drejt fitores”, vazhdoi ai.
Në fund ai foli edhe për mesazhet e shumta që ka marrë pas paraqitjes briliante sot.
“Normale se për një sportist ditë si këto, që të japin vëmendjen e të gjithë i kthejnë sytë nga ty janë shumë të mirësëardhura – por s’duhet harru se për një sportist ka edhe ditë të këqija – kur i duhet perkrahja ndoshta në ato ditë. Kësisoj mesazhet do jenë akoma më të mirseardhura. Pas ndeshjes të parët që i mora janë familjarët dhe shoqëria të cilet asnjëherë nuk dyshojnë tek unë – per çka ju jam gjithe jetën mirënjohës”, përfundoi ai.