Ilir Daja foli gjatë në prononcimin për shtypin përpara duelit Ballkani-Slavia Prague, i vlefshëm për grupet e Conference League. Kampionët e Kosovës presin skuadrën çeke në “Fadil Vokrri” të enjten.
“Është konferenca e 13-të në Europë. Nesër kemi një ndeshje shumë të vështirë ndaj ekipit më të fortë të grupit. Slavia ka qenë favoritja kryesore për t’u kualifikuar. Në çdo ndeshje kemi hyrë me maksimumin e motivimit, sidomos në Prishtinë. Jemi bërë si Kombëtarja e dytë apo Kombëtarja mbarëshqiptare.
Nuk jemi në formën tonë më të mirë, por kjo nuk do të thotë që do të futemi në fushë të dorëzuar, thjesht ky është realiteti. Unë nuk nisem nga tabela, pasi i kam parë të gjithë ndeshjet e kundërshtarëve. I kemi analizuar.
Është hera e parë që luajmë me një intensitet të tillë, kjo edhe falë faktit që Botërori do të zhvillohet në dimër. Të gjithë koleget e mi ankohen për ndeshjet e kampionatit. Është java e 13-të e kampionatit vendor, disa kanë luajtur më shumë, ekipe të tjera më pak.
Ne po bëjmë edhe një kampionat paralelet, ne kemi luajtur 24 ndeshje për katër muaj e gjysmë. Kemi një kontingjent të pasur lojtarësh, por kemi pasur edhe dëmtime. E kemi përballuar këtë lloj ngarkese me 16-17 lojtarë.
Slavia është ekipi më i fortë me të cilin përballemi. Nuk po justifikohemi, thjesht duam t’u tregojmë të gjithëve gjendjen tonë përpara këtij takimi. Duhet të na mbështetin për të bërë një çmenduri tjetër të radhës.
Taktika? E djeshmja ishte dita e parë përgatitore për Slavian. Kërkuam të spostonim ndeshjen me Dukagjinin për të shmangur dëmtimet, që janë të pashmangshme me këtë lloj ngarkese. Jemi fokusuar në aspektin taktik me aq sa kemi mundur.
Slavia ka dominuar ndaj çdo lloj kundërshtari, edhe ndaj atyre me të cilët ka humbur. Ata nuk na sulmuan vetëm nga krahët në Pragë, dolën edhe nga qendra në krahë, një problem i madh për ne. Kanë një mënyrë sulmi brilante, pasi kanë edhe shpejtësi në skuadër.
E vështirë t’i pengojmë, por kemi përgatitur strategjinë për t’ua vështirësuar gjërat. Jemi ekipi i vetëm që kemi shënuar dy gola në fushën e tyre. Kërkoj mbështetjen e të gjithëve, tifozët duhet të na japin një suport të madh. Nëse do të bëjmë ndonjë gjë pozitive nesër, do e bëjmë nga karakteri dhe motivimi i lojtarëve për të përfaqësuar sa më mirë futbollin e Kosovës.
Në grumbullimin e fundit në ndeshjen ndaj Dukagjinit, ishim të grumbulluar në Prishtinë. Në çdo lloj ambienti, të gjithë na kanë uruar duke na thënë: bravo ju qoftë, na keni bërë krenar. E kanë thënë të gjithë. I kemi bërë krenarë të gjithë tifozët e skuadrave kosovare.
Faleminderit edhe mediave për përcjelljen e këtij rrugëtimi, ka shkuar në shtëpinë e çdo shqiptare. Në këtë moment nuk mund të bëjmë kundër asnjë tifoz, qoftë i Prishtinës apo një ekip tjetër.
Në momentin që Prishtina kërkoi që të lejohej të luante Gashi, edhe pse në klauzolë nuk lejohej, ne pranuam për hir të spektaklit dhe tifozëve, kështu që lejuam të luabnte Gashi. Ndeshja u shty për shkakun pse këta lojtarë të Ballkanit, të cilët kanë bërë historinë e futbollit të Kosovës, thjesht të mos dëmtoheshin. Rezultatet i kemi marrë dhe duam t’i marrim vetëm në sipërfaqen e gjelbërt të fushës.
Nga 2 tetori dhe nesër, Ballkani ka bërë tetë ndeshje për 24 ditë. Kjo ishte një shkak për të shtyrë ndeshjen me Prishtinën, pasi realisht nuk mundemi. Paçim fat nesër”, përfundoi trajneri i ekipit kampion.