Ka përfunduar ndeshja e parë në grupet e Champions League-s për vajzat e Vllaznisë.
Megjithëse përballë kishin një superfuqi të futbollit si Reali i Madridit, kuqeblutë kanë bërë një paraqitje dinjitoze. Femrat e ekipit shkodran kanë ruajtur nderin edhe në humbje, duke shmangur goleadën përballë spanjolleve.
Për golin e parë u deshën 53 minuta lojë. Ishte Gonzalez ajo që finalizoi me gol një aksion të bukur të Realit të Madridit. Ndërkohë goli i dytë u shënua nga pika e bardhë e 11 metrave. Lojtarja e klubit spanjoll rrëzohet në zonë dhe fiton një penallti që mund të hapë diskutime nëse ishte apo jo e tillë. Megjithatë gjyqtarja e sfidës e dha vendimin e saj, duke drejtuar dorën nga pika e bardhë në zonën e Vllaznisë. Prej aty, në minutën e 76, Carmona i çon shifrat në 2-0. Rezultat ky që mbeti i tillë deri në vërshëllimën e trefishtë të arbitres.