Ademi priti delegacionin e UKSHFZ-së dhe FC Kosova Zurich

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi bashkë me nënkryetarin Agim Dibrani dhe anëtarin e KE-së, Agim Nura, kanë pritur sot në selinë e FFK-së, delegacionin e Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicrë, në krye me Feti Demollin dhe sekretarin Musli Saiti, si dhe ekspeditën e FC Kosova Zurich, të kryesuar nga Nesret Limani, kryetar, Besim Ramadani, drejtor sportiv dhe Përparim Avdili dhe Ilir Morina, anëtarë të kryesisë.

FC Kosova Zurich, si fituese e Kupës së Unionit, do të luajë të martën në orën 14:00, me fituesin e Kupës së Kosovës, FC Llapi, për trofeun e Superkupës “Kosovë-Diasporë“, ndeshje e cila zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali.

Ademi falënderoi komunitetit shqiptar në Zvicër për mbështetjen e vazhdueshme për futbollin e Kosovës, teksa theksoi rëndësinë e zhvillimit të futbollit shqiptar në Diasporë dhe përgëzoi drejtuesit e UKSHFZ-së, por edhe drejtuesit e klubit nga Cyrihu për angazhimin dhe aktivitetin e tyre atje.

Njëherësh kreu i FFK-së vuri në pah rëndësinë e ngritjes së mëtejme të klubeve shqiptare në Zvicër, me qëllim që në të ardhmen ndonjë prej klubeve shqiptare të jetë pjesë e nivele të larta të futbollit zviceran.

Ndërkaq, kryetari i UKSHFZ-së, Feti Demolli falënderoi FFK-në dhe presidentin Ademi për mbështetjen e madhe që i ka dhënë këtij unioni, por edhe zhvillimit të futbollit në Diasporë. Ai e falënderoi kreun e FFK-së, duke thënë se është krahu i tij i djathtë dhe pa përkrahjen e të cilit nuk do të mund ta organizonte në këtë nivel UKSHFZ-në.

Në anën tjetër, kryetari i FC Kosova Zurich, Nesret Limani, shprehu mirënjohjen e tij dhe të gjithë stafit të klubit për mikpritjen dhe mundësinë e dhënë nga FFK-ja për zhvillimin e ndeshjes së Superkupës “Kosovë-Diasporë“.

Ai shprehu bindjen se në ndeshjen e nesërme, djemtë e skuadrës së tij, në mesin e të cilëve ka edhe futbollistë të nacionaliteteve tjera, do të arrijnë të dëshmojnë vlerat e tyre përballë fituesit të Kupës së Kosovës.

Në fund, Ademi ndau disa dhurata për mysafirët në shenjë respekti dhe mirënjohje për punën e tyre vullnetare dhe të palodshme që e bëjnë për zhvillimin e futbollit në Diasporë. Paraprakisht, delegacioni nga Zvicra ka vizituar dhe ka bërë homazhe në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *