Manchester United ka marrë fitore kundër Everton, me Cristiano Ronaldo që ka shkuar në kuotën e 700 golave në kompeticionet me klube.
Skuadra e Manchester United ka marrë një fitore me rezultatin 1:2, në udhëtim kundër skuadrës së Everton.
Vendasit kaluan të parët në epërsi me një super-gol të Alex Iwobi në minutën e 5’, por ‘Djajtë e Kuq’ arritën të përmbysin gjithçka.
Përmbysja nisi shpejt me golin e Antony, në minutën e 15’ të takimit. Braziliani u asistua nga Anthony Martial.
Ky i fundit pësoi një lëndim dhe u largua nga fusha në minutën e 29’, për t’i lënë vend ikonës së futbollit, Cristiano Ronaldo.
CR7 gjeti golin qysh në minutën e 44’, për t’i dhënë epërsinë e parë skuadrës së Man United, dhe për të kompletuar përmbysjen e Everton.
Njëkohësisht, goli i Cristiano Ronaldo ishte goli i tij numër 700 në karrierën me klube.
Me këtë fitore të regjistruar sot, Man United shkon në kuotën e 15 pikëve në pozitën e pestë. Ata kanë nëntë pikë më pak sesa liderët, Arsenal.
Everton mbetet me 10 pikë në pozitën e 12, aq sa ka edhe Liverpool në pozitën e 10.