Kosova e zhvilloi stërvitjen e fundit në Belfast

Kombëtarja e Kosovës pasditen e sotme e ka mbajtur stërvitjen e fundit në Belfast para ndeshjes së nesërme kundër Irlandës së Veriut.

Atmosfera dhe motivi për fitore tek Dardanët është në nivel të lartë, por brengosëse për përzgjedhësin Giresse është konfirmimi i mungesës së kapitenit Amir Rrahmani për këtë duel. Në fakt, përkundër dëshirës së madhe të futbollistit që të paraqitet në këtë ndeshje, pas testimeve në stërvitjen e sotme, u konstatua se paraqitja e tij në duelin me Irlandën e Veriut do të paraqiste rrezik për ndonjë lëndim më të madh për futbollistin. Rrahmani do të vazhdojë të jetë nën përkujdesjen e stafit mjekësor dhe do të bëhet përpjekje që të riaftësohet për lojë për ndeshjen e dytë kundër Qipros.

Rrahmani që nga dita e parë e grumbullimit me Kosovën ka stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit, pasi në ndeshjen e fundit që skuadra e tij Napoli e zhvilloi me Milanin pësoi lëndim.

Ndërkohë, në konferencë për media, e cila u mbajt para stërvitjes, janë paraqitur përzgjedhësi Alain Giresse dhe Bersant Celina, të cilët dhanë opinionet e tyre për duelin e nesërm.

Përzgjedhësi Giresse theksoi se Kosova synon rezultat pozitiv në këtë takim në mënyrë që ta ruajë pozitën e dytë në grup.

“Ndeshja e nesërme patjetër se është e rëndësishme për ne, sepse është ndeshje zyrtare e UEFA-s dhe vlerësohet në sistem të poentimit. Kështu që kemi të bëjmë me një ndeshje që ka rëndësi. Ne kemi ardhur këtu për të tentuar të marrim rezultat pozitiv në këtë përballje dhe besoj se do t’ia dalim. Është e qartë që Greqia e ka fituar grupin, por për ne tani është e rëndësishme ta konfirmojmë pozitën e dytë këtë cikël të Ligës së Kombeve”, ka theksuar Giresse.

Në anën tjetër, mesfushori Bersant Celina theksoi se janë të vetëdijshëm se i pret një përballje e fortë në Belfast, por theksoi se ekipi është përgatitur gjatë tërë javës për të treguar lojë sa më të mirë.

“Do të jetë një duel shumë i vështirë, por ne jemi të gatshëm dhe të kënaqur të jemi pjesë e kësaj ndeshjeje të fortë. Do të tentojmë të japin më të mirën tonë dhe të marrim një rezultat të favorshëm. Jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak lehtë, ngase Irlanda e Veriut është ekip agresiv. Megjithatë, edhe ne kemi synimet tona dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën në fushë”, ka theksuar Celina.

Ai ka thënë se presioni për fitore në këtë ndeshje është në anën e Irlandës së Veriut, por se Dardanët synojnë të marrin rezultat pozitiv.

Përballja ndërmjet Irlandës së Veriut dhe Kosovës zhvillohet të shtunën prej orës 18:00 në Belfast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *